Vrasja e dyfishtë në Shkup, autori me probleme psikike

Vrasësi i nënës dhe gjyshes në Shkup dyshohet të jetë i sëmurë psikik. Ai pas vrasjes së dyfishtë ditë më parë në banesën e tij në rrugën “Ruzvelltova” në Shkup, ka shkuar në spital ku ka kërkuar ta arrestojnë. Në rrethana jo zyrtare mësohet t’i ketë thënë mjekëve se vrasjen e ka kryer për motive familjare, ndërsa meriton të shkojë në burg. Mjekët kanë lajmëruar policinë dhe i njëjti është arrestuar. Dy trupat e viktimave, njëra 60 dhe tjetra 80 vjeçare i janë nënshtruar autopsisë. Nga Prokuroria Publike nuk ndajnë më shumë hollësi, ku ka përfunduar i dyshuari dhe çfarë ka përdorur për kryerjen e veprës. Burime nga grupi hetimor thonë se vrasja ka ndodhur në rrethana të rënda. Viktimat dyshohet të jenë goditur, therur dhe masakruar gjë që ka shkaktuar vdekjen e tyre të menjëhershme. Sipas ministres së Punës dhe Politikës Sociale kjo është pasojë e mos denoncimit të dhunës në familje.

“Nuk kishim asnjë denoncim se ka ndodhur dhunë, gjë që tregon se dhuna akoma mbetet e izoluar në familje, nuk denoncohet dhe fshihet, ndërsa pasojat janë këto që janë. Për këtë arsye bëj apel që të mos e fshehin, të mos e heshtin dhe ta paraqesin dhunën në Qendrat Sociale, në Stacionet policore që të mundemi si institucionet të ndërhymë, të parandalojmë dhe t’i mbrojmë viktimat e dhunës familjare”, tha Jovana Trençevska, Ministre e Punës dhe Politikës Sociale.

Sipas të dhënave zyrtare nga 1000-1200 qytetarë në vit janë viktima të dhunës familjare. /Alsat.mk