Çfarë po ndodhë!? Shqipëria thirrje qytetarëve të saj që të largohen nga Ukraina

Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme e Shqipërisë ka reaguar në lidhje me zhvillimet pranë kufirit të Ukrainës, duke këshilluar qytetarët që mos udhëtojnë drejt Ukrainës apo që të largohen nga ky vend, transmeton Anadolu Agency (AA).

Në një njoftim të ministrisë theksohet se ky institucion është duke ndjekur me kujdes zhvillimet pranë kufirit ukrainas.

“Duke marrë parasysh rrezikun e besueshëm të përshkallëzimit të situatës, MEPJ këshillon të mos udhëtohet drejt Ukrainës. Gjithashtu, Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme u bën thirrje shtetasve shqiptarë që të largohen nga Ukraina sa më parë”, thuhet në njoftim.

Gjithashtu, ministria i fton qytetarët shqiptarë që të informohen përmes kanaleve të komunikimit të Ministrisë për Evropën dhe Punët e Jashtme.

Rusia kohët e fundit grumbulloi trupa pranë Ukrainës, duke shkaktuar frikën se Kremlini mund të planifikojë ofensivë ushtarake kundër Ukrainës.